RRETH NESH

 

Partia e Gjelbër lindi si një lëvizje politike të cilën në skenë e thiri koha, jo vetëm për të dhënë alarmin për krizën e thellë ekologjike që po kalojmë, por për ta bërë realitet në Shqipëri zhvillimin e qëndrueshëm në harmoni me mjedisin. Partia e Gjelbër u krijua më 1 shtator 2001, me nismën e një grupi intelektualësh të rinj të fushave të ndryshme. Kësaj lëvizje politike iu bashkuan shumë shpejt shoqatat ambientaliste dhe klubet ekologjike që përfaqësonin shoqërinë civile ambientaliste të kohës.
Partia e Gjelbër në princip të politikës së saj ka ideologjinë e gjelbër. Platforma jonë politike ngre bazat e përgjegjësisë për mjedisin. Ne mbrojmë me forcë liritë dhe të drejtat e njeriut, pakicave, barazinë gjinore, politikat paqedashëse dhe ndërtimin e një shteti social. Ne synojmë forcimit e sistemit demokratik duke synuar një demokraci sa më përfshirëse ku njerëzit të marrin pjesë drejtëpërdrejt në vendimet që i përkasin. Ne sot punojmë për ndërtimin e një Shqipërie të Gjelbër Europiane e cila në themel të saj do të ketë zhvillimin  e një ekonomie të gjelbër si një model zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.
Slogani ynë është “Për një Shqipëri të Gjelbër”.
Partia e gjelbër është e shtrirë në të gjithë vendin me strukturat e saj. Që nga zgjedhjet lokale të 2003, ajo është pjesë e parlamenteve lokale me këshilltarët e saj në komuna dhe bashki. Synimi ynë kryesor elektoral është përfaqësimi i politikës së gjelbër në Parlamentin Kombëtar. Zëri i Gjelbër është zëri që i mungon sot Parlamentit Shqiptar.
Partia e Gjelbër, që nga tetori i 2008s, është anëtare më të drejta të plota e Partisë së Gjelbër Europiane. Ajo ka përfaqësuesit e saj me të drejtë vote në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues të Partisë së Gjelbër Europiane. Gjithashtu Partia e Gjelbër është anëtare e Të Gjelbërve Global. Ajo tashmë është pjesë e politikës së gjelbër Europiane dhe Globale.
Rinia është pjesa më energjike dhe vitale e Partisë së Gjelbër. Ajo është e organizuar në Forumin “Rinia e Gjelbër”. Rinia e Gjelbër ka ndërmarrë një sërë aksionesh konkrete sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për ndalimin e ndotjes dhe shkatërrimin e mjedisit. Si pjesëmarrëse aktive në aktivitete të ndryshme në terren dhe protesta, ajo po shndërrohet në një forcë potenciale përfaqësuese e politikave të gjelbra në Shqipëri. Rinia e Gjelbër është anëtare më të drejta të plota e Federatës së Gjelbër Rinore Europiane. Ajo ka përfaqësuesit e saj më të drejtë vote në Këshillin Drejtues të kësaj Federate. Rinia e Gjelbër është anëtare e Të Rinjve Të Gjelbër Global dhe e disa rrjeteve Rinore Europiane.
Partia e Gjelbër është partia që kërkon rrugë të reja zhvillimi. Ajo si pjesë e Politikës së Gjelbër Europiane, bazë e së cilës është “Ideologjia e Gjelbër”, synon fuqizimin e kësaj politike dhe në Shqipëri. Programi ynë politik është marrëveshja jonë e Gjelbër që kemi me Qytetarin. Të gjitha idetë e reja që shpalosen aty, ndeshen me mendimin që kjo është e pamundur dhe e parealizueshme dhe ka shumë njerëz që e pohojnë këtë. Por, Ne Të Gjelbrit themi: “Asgjë nuk është e pamundur. Ne mundemi nëse duam”.

NE DUAM   NËSE DHE JU DONI,  MIRËSEVINI TE NE!
Bashkërisht mund të realizojmë atë që të tjerët thonë se është e pamundur.
Një vend më të mirë për të jetuar; Një të ardhme më të sigurtë; Një Shqipëri të Gjelbër.

 

 

 

PARTNERËT TANË