ZHVILLIM I QËNDRUESHËM DHE EKONOMIA

E GJELBËR

 

Zhvillimi i qëndrueshëm

Vlera të tilla si përgjegjësia mjedisore, ajo e drejtësisë, lirisë, diversitetit dhe paqes, për Partinë e Gjelbër janë çështje të cilat përkrahen dhe mbrohen edhe nga familjet e tjera politike. Por ajo çfarë na përkufizon dhe dallon ne Të Gjelbrit, është se ne i konsiderojmë këto vlera si të ndërvarura nga njëra tjetra dhe si të pandara. Si një e tërë, ato përkufizojnë të gjitha veprimet tona drejt një zhvillimi të qëndrueshëm social, kulturor, mjedisor dhe ekonomik të shoqërisë tonë. Ky është dallimi ndërmjet Partisë së Gjelbër dhe Partive të tjera politike në lidhje më zhvillimin e qëndrueshëm. Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm të mjedisit pa patur njëkohësisht dhe një zhvillim të tillë në fushën sociale dhe ekonomike si dhe anasjelltas. Ne dëshirojmë të kemi një zhvillim afatgjatë e të qëndrueshëm, që nuk ndërtohet mbi shfrytëzimin e pamëshirshëm të burimeve natyrore si dhe mbi shkatërrimin e mjedisit. Synimi kryesor i tij duhet të jetë që t´i plotësojë nevojat e njerëzve, njëkohësisht të krijojë kushte të mira jetese për brezat e ardhshëm. Përparimin ekonomik të vendit, Të Gjelbërit e shohin nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm në harmoni me mjedisin. Përgjegjësia jonë politike për të sotmen dhe të ardhmen është ndërtimi i një Shqipërie të Gjelbër ku prioritet i saj të jetë modeli i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

 

Ekonomia e Gjelbër

Përgjigja jonë ndaj krizës është një strategji e transformimit ekonomik në një model që bazohet tek qëndrueshmëria, fortësia dhe solidariteti. Kriza na ka treguar edhe një herë se modeli ekonomik i bazuar në një vizion të ngushtë të rritjes ekonomike ka dështuar. Ne duam të ndryshojmë ekonominë tonë, në mënyrë që t’i shërbejë njerëzve, vendit dhe brezave të ardhshëm. Një ekonomi e Gjelbër i përgjigjet më së miri sfidave të sotme dhe të ardhshme.

 

Punësim afatëgjatë

Ne duam ta kthejmë ekonominë e vendit në një ekonomi të Gjelbër duke krijuar punësim afatgjatë dhe të sigurtë. Një ekonomi e gjelbër do të ofrojë mundësi më të mira punësimi në sektorin e energjive të rinovueshme, teknologjive të gjelbra, industrisë së gjelbër, bujqësisë dhe eko-turizmit. Zhvillimi strategjik i një ekonomie dhe industrie të gjelbër do të ishin një garanci për të ardhmen pasi do të sillnin një zhvillim të qëndrueshëm në të gjithë sektorët.

 

PARTNERËT TANË