Partitë e Gjelbra po bëhen përcaktuese me rritjen e tyre

Kryesore

Nga Edlir PETANAJ 

Kryetar i Partisë së Gjelbër

Një valë e gjelbër shprese po përfshin Europën. Përfaqësuesit e kësaj lëvizje nuk janë më radikalët ekologjik të viteve 80, që sfiduan politikën e kohës, por sot ata janë përfaqësues të një politike reale që kërkon transformimin e gjelbër për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të realizuar drejtësinë shoqërore.

Suksesi i të Gjelbërve së fundmi në Bavari, ku u renditën partia e dytë, erdhi si pasojë e një sërë rezultatesh të suksesshme elektorale edhe në vendet e tjera Europiane si Hollandë, Belgjikë, Luksemburg, Finlandë, Austri, Suedi ,etj.

Në Europë epoka e partive të mëdha duket se po merr fund. Fragmentarizimi i skenës politike është tashmë një fakt. Peisazhi politik po ndryshon. Partitë e Gjelbra po bëhen përcaktuese me rritjen e tyre.

Ky sukses vjen si rrjedhojë e vlerave që këto Parti të Gjelbra mbartin dhe besimit në rritje të qytetarëve tek këto organizime politike për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre. Platforma e tyre politike është shpresa për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë.

Politika e partive të gjelbra ka evoluar shumë. Edhe pse u krijuan si një lëvizje e re e së majtës kundër energjisë nukleare dhe pro paqes, të Gjelbrit sot synojnë të përfaqësojnë një politikë më të gjerë, në themel të së cilës qendrojnë mjedisi, drejtësia sociale, gjithëpërfshirja, zhvillimi i qëndrueshëm, respektimi i diversitetit e deri tek inovacioni digital dhe solidariteti në shoqëri. Politikat e gjelbra janë më të hapura, më gjithëpërfshirëse dhe më pranë njerëzve. Politka e gjelbër po triumfon si një përfaqësuese e njerëzve të thjeshtë që ngrejnë zërin për cilësinë e jetës dhe shanset e barabarta.

Fitoret e gjelbra në zgjedhjet elektorale të disa vendeve të zhvilluara në Europë do të nxisin fuqizimin e lëvizjes së Gjelbër edhe në vende të tjera sikurse edhe në Shqipëri.

I takon të Gjelbërve shqiptar për t’iu përgjigjur kësaj situate, për të mbledhur forcat dhe për t’u organizuar më mirë duke bashkuar në një lëvizje të vetme të gjithë ambientalistët, ekologjistët, intelektualët, të rinjtë dhe të rejat.

Krijimi i një blloku të vetëm, të madh dhe të mirëorganizuar, me vizion të qartë për të ardhmen e gjelbër të Shqipërisë, do të bëjë për vete të gjithë votuesit që duan ndryshimin.

Të Gjelbërit duhet të jenë frymëzues për brezin e ri duke e inkurajuar atë që të përfshihet në politikë, të marrë përsipër përgjegjësitë për ecjen përpara të vendit dhe integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE.