Nga Edlir PETANAJ
Kryetar i Partisë së Gjelbër
Tashmë nuk ka dyshim se njerëzit, me veprimtarinë e tyre, kanë bërë që Toka të shënojë temperatura rekord të larta. Kjo gjë është e konfirmuar nga Raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shumë grupe ekspertësh dhe shkencëtarësh.
Raporti pohon se ne jetojmë në një planet që vazhdon të ngrohet nga rritja e vazhdueshme e përqendrimit të gazeve që ngrohin planetin dhe kjo gjë ka shkaktuar probleme në mbarë botën.
Kjo situatë mundësoi, pas shumë debateve disavjeçare, të arrihet në marrëveshjen e Parisit për klimën, që shtetet të angazhoheshin të reduktonin sidomos aktivitetet industriale që konsiderohen si kryesore në çlirimin e gazrave serë e sidomos Co2. Rritja e temperaturës së oqeaneve vetëm me 1 gradë do të sjellë shkrirjen e një pjese të akujve polar duke shkaktuar ngritjen e nivelit të oqeaneve, situatë që do të ishte katastrofike për disa shtete. Shumë sipërfaqe toke do të zhdukej dhe miliona banorë të tyre do të duhet të zhvendosen diku tjetër. Shkencëtarët na paralajmërojnë se të tilla nivele nxehtësie nuk do të jenë më anormale në vitin 2050, në rast se nuk merren masat e duhura për të reduktuar menjëherë emetimet e karbonit dhe për frenimin e efekteve të ndryshimeve klimaterike.
Ndryshimet klimaterike po ndikojnë përherë e më shumë mbi natyrën dhe jetën në vendin tonë. Një situatë që sa vjen dhe përkeqësohet nga viti në vit, e cila po përballet dhe me pamundësinë e kapaciteteve ruajtëse dhe ndihmëse të shtetit tonë.
Nga studimet ndërkombëtare, Shqipëria renditet në vendet me rrezikshmëri të lartë për dukuri ekstreme si përmbytjet, thatësirat dhe zjarret në pyje. Për shkencëtarët tanë shqetësimi më i madh është rritja e temperaturës mesatare vjetore me 1 gradë krahasuar me mesataren shumë vjeçare si dhe ulja në minimum e rreshjeve të dëborës sepse nuk ka më depozitim të saj në majat e maleve. Ata shtojnë se ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike e rrezikojnë Shqipërinë nga ultësira perëndimore, sepse me ngritjen vetëm 5 cm të nivelit të detit aty përmbyten hapësira të mëdha toke, që janë afër zeros ose nën nivelin e tij. Temperaturat e larta dhe thatësira do të vazhdojnë të na kërcënojnë dhe do t’i vendosin në vështirësi të mëdha sektorët më jetikë të ekonomisë.
Përballë kësaj situate është urgjente marrja e masave shtetërore duke aktivizuar plane për të përmirësuar kushtet për përballimin e ngrohjes globale që na rrezikon. Masat duhet të synojnë përqendrimin e vëmendjes ndaj problemeve të mjedisit, qasjes afatgjatë ndaj ndryshimeve klimaterike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë.
Aplikimi i këtyre politikave mjedisore në fushën e energjisë, transporteve, bujqësisë dhe teknologjisë do synojë të përgatisë vendin për t’u përshtatur ndaj sfidave mjedisore pasi përveç zjarreve na duhet të përballemi me problemet e sigurisë ushqimore, rrebesheve, përmbytjeve, thatësirave, prodhimeve bujqësore ndikimit në biodiversitet dhe sëmundjeve që shkaktohen si rezultat i këtyre ndryshimeve klimaterike duke u bërë kërcënim real në dekadat që vijnë.
Në sfidat e ardhshme mjedisore i pazëvendësueshëm mbetet ndërgjegjësimi i publikut për rreziqet nga klima si dhe kontributi i çdo qytetari të thjeshtë. Aktet qytetare në shërbim të mjedisit janë të domosdoshme për vetë jetën tonë.