Nuk mund të kemi një qendrueshmëri mjedisore pa patur njëkohësisht dhe një zhvillim të qëndueshëm në fushën sociale dhe ekonomike. Ne dëshirojmë të kemi një zhvillim të qëndrueshëm, që nuk ndërtohet mbi shfrytëzimin e pamëshirshëm të burimeve natyrore si dhe mbi shkatërrimin e mjedisit. Synimi kryesor i tij duhet të jetë që t´i plotësojë nevojat e njerëzve, njëkohësisht të krijojë kushte të mira jetese për brezat e ardhshëm. Përparimin ekonomik të vendit, Të Gjelbërit e shohin nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë së gjelbër dhe një modeli të ri industrial që jo vetëm ruan burimet natyrore dhe mjedisit por njëkohësisht siguron dhe punësim të qëndrushëm.
Ekonomia e Gjelbër
Përgjigja jonë ndaj krizës është një strategji e transformimit ekonomik në një model që bazohet tek qëndrueshmëria, fortësia dhe solidariteti. Kriza na ka treguar edhe një herë se modeli ekonomik i bazuar në një vizion të ngushtë të rritjes ekonomike ka dështuar. Ne duam të ndryshojmë ekonominë tonë, në mënyrë që t’i shërbejë njerëzve, vendit dhe brezave të ardhshëm. Një ekonomi e gjelbër i përgjigjet më së miri sfidave të sotme dhe të ardhshme. Një ekonomi e gjelbër do të nxisë mënyra të qendrueshme të prodhimit dhe transportit dhe do të ofrojë vende pune në industritë e së ardhmes duke na bërë më pak të varur nga rritja ekonomike. Ne mbështesim ndërmarrjet e gjelbra, kooperativat dhe iniciativat lokale pasi gjallërimi i tyre do të sjelli zhvillim dhe përmirësojë cilësinë e jetës. Një gjë është e sigurtë: modeli ynë aktual i prodhimit nuk ka të ardhme. Është e qartë se përdorim pa kriter i shumë burime natyrore të vendit tonë, ka sjellur dëme të rëndë duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e fëmijëve tanë. Zhvillimi strategjik i një ekonomie dhe industrie të gjelbër do të ishin një garanci për të ardhmen pasi do të sillnin një zhvillim të qëndrueshëm në të gjithë sektorët.
Punësim afatëgjatë
Ne duam ta kthejmë ekonominë e vendit në një ekonomi të Gjelbër duke krijuar punësim afatgjatë dhe të sigurtë. Një ekonomi e gjelbër do të ofrojë mundësi më të mira punësimi në sektorin e energjive të rinovueshme, transportit ekologjik, teknologjive të gjelbra, industrisë së gjelbër, bujqësisë dhe eko-turizmit. Puna e gjelbër do të jetë e ardhmja, prandaj punonjësit duhet të përshtaten shpejt me kërkesat e reja, duke fituar aftësi profesionale për t’ju përgjigjur këtij zhvillimi të ri.