KLIMA DHE ENERGJIA

Qëndrimet tona

Ne duhet të mbajmë diversitetin biologjik dhe të reagojmë dhe veprojmë konkretisht mbi ndryshimin klimaterik, të luftojmë ngrohjen globale nëpërmjet përdorimit të qëndrueshëm të resurseve të rinovueshme dhe përdorimit me kujdes të resurseve jo–të riciklueshme.

Ndryshimet klimaterike

Mrojtja e planetit është një vlerë thelbësore e gjelbër. Mënyra se si ne aktualisht konsumojmë dhe prodhojmë energji po ndryshon klimën tonë globale dhe po e rrezikon planetin për gjeneratat e ardhshme. Ne si Të Gjelbër jemi të angazhuar për të ndryshuar mënyrën e prodhimit të energjisë drejt një energjie alternative të qëndrueshme dhe miqësore me klimën. Ne duam t’i japim fund varësisë sonë nga lëndët djegëse fosile dhe prodhimit të energjisë bërthamore, të cilat janë të rrezikshme. Ndryshimet klimaterike dhe ngrohja globale krahas problemeve që po shkaktojnë në botën globale po prekin edhe vendin tonë. Ndryshimet klimatike në vend pritet të shoqërohen me rritje të temperaturës, ulje të sasisë së reshjeve dhe rritje të nivelit të deteve, duke ndikuar kështu negativisht në sektorë të ndryshëm të jetës në vend. Ne na duhet një strategji kombëtare e adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike. Për ne si Të Gjelbër, krahas masave ekologjike, një rëndësi të veçantë luan zvoglimi i emetimeve të karbonit dhe trasformimi i sektorit të prodhimit të energjisë drejt energjisë së gjelbër.

Energjia e Gjelbër

E ardhmja i përket energjive të rinovueshme. Elektriciteti me origjinë nga era (eolike) dhe elektriciteti me origjinë diellore (fotovoltaike) duhet të jenë energjitë e së ardhmes. Shqipëria ka një pozicion të favorshëm gjeografik që krijon shanset për shfrytëzimin e energjisë diellore. Shanse të tilla janë intensiteti i lartë i rrezatimit diellor, kohëzgjatja e këtij rrezatimi, temperatura dhe lagështia e ajrit, etj. Klima mesdhetare, me një dimër të butë dhe të lagët dhe verë të nxehtë dhe të thatë përcaktojnë një potencial energjetik të madh për shfrytëzimin e energjisë diellore. Energjia diellore është një burim energjie mjaft premtues për të ardhmen dhe përdorimi i saj është potencial, pasi është një burim natyror energjie i pashtershëm. Era garanton energji pa dëmtuar mjedisin dhe me një kosto të pranueshme. Kjo formë energjie është e leverdisshme si nga ana ekonomike ashtu edhe mjedisore. Kjo përbën arsyen që një pjesë më e madhe e energjisë së krijuar nga era të përfshihet në strukturën kombëtare të energjisë. Rezervat e erës të Shqipërisë janë të mëdha. Ne duam të hartojmë stategji dhe të caktojmë objektiva ambicioze për ta realizuar këtë trasformim për të prodhuar energji nga burimet e rinovueshme. Le të punojmë së bashku për ta vënë në jetë këtë projekt dhe për ta bërë vendin më të sigurtë për brezat e ardhshëm.