Nga Edlir PETANAJ
Kryetar i Partisë së Gjelbër
Mjedisi duhet konsideruar si shtëpia jonë e përbashkët. Kontributi dhe angazhimi i gjithësecilit është i pazëvendësueshëm. Në këtë kontekst një shtyllë kryesore e strategjisë për përmirësimin e situatës mjedisore është rritja e nivelit të ndërgjegjësimit dhe edukimit qytetar në mbrojtje të mjedisit.
Sot kemi një sërë organizmash që me aktivitetet e tyre luajnë një rol të rëndësishëm në drejtim të ndërgjegjësimit qytetar për mjedisin. Gjithashtu dhe informimi i publikut përmes medias së shkruar dhe vizive është rritur ndjeshëm. Por, megjithëse janë ndërmarrë një sërë hapash, ka akoma dhe shumë për të bërë në këtë drejtim.
Për mua, edukimi dhe ndërgjegjësimi mjedisor duhet të fillojnë që në moshën parashkollore dhe të vazhdojnë si një proces në të cilin përfshihen të gjitha hallkat e shoqërisë, shkolla, familja, institucionet e fushës, shoqatat dhe klubet ambientaliste, media, shtypi, etj. Vetëm kështu ne do të krijojmë një shoqëri të ndjeshme ndaj problemeve mjedisore.
Edukimi qytetar duhet të jetë shumëplanësh. Nuk mjafton sensibilizimi i qytetarëve përmes fakteve dhe shifrave mbi shkatërrimin dhe ndotjen e mjedisit por ajo që është më e rëndësishmja është ndërgjegjësimi i publikut për rolin që ai ka si faktor përcaktues i fateve të veta.
Reagimet e shoqërisë civile dhe publikut të gjerë deri tani nuk kanë arritur të ndalojnë miratimin e vendimeve që bien ndesh me mjedisin. E kundërta ndodh me vendet Europiane ku ne synojmë të integrohemi. Politikanët e këtyre vendeve janë shumë të ndjeshëm ndaj reagimit qytetar mbi problemet mjedisore. Reagimi qytetar vjen sepse ata janë shumë të vetëdijshëm kur flitet për mirëqenien e tyre mjedisore.
Protestat qytetare në Europë patën një impakt pozitiv. E drejta ishte me ta për të vendosur mbi çështjet mjedisore. Politikës s’i mbeti gjë tjetër veçse të zbatonte vendimin e tyre. Mjedisi dhe mbrojtja e tij janë ndër çështjet më shqetësuese, por edhe prioritare të politikbërësve në Europë.
Por, nëse reagimet e shoqërisë civile në vendin tonë janë të njëjta me ato të shoqërive Europiane nuk mund të thuhet e njëjta gjë përsa i përket politikës. Për fat të keq, çështja e mjedisit nuk ka qenë për një kohë të gjatë në listën e prioriteteve të politikanëve tanë. Edhe sot, mbrojta e mjedisit ende nuk zë hapësirën dhe rëndësinë e duhur në axhendat politike, qoftë në nivelin qendror por edhe në atë lokal. Kjo ka bërë që të mos kemi një politikë të ndershme dhe miqësore me mjedisin dhe burimet natyrore. Politika është përgjegjësja kryesore për shkatërrimin e mjedisit me vendimet që merr.
Duke qenë një vend në zhvillim dhe me një dëshirë për t’u pasuruar shumë shpejt, i jemi turrur burimeve natyrore sikur jeta fillon dhe mbaron me ne, pa menduar gjatë për fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre.
Qytetarët presin që ky shkatërrim mjedisor të ketë një fund. Por, ata janë të sigurtë që, më shumë sesa ndërgjegjësimi qytetar, duhet arritur ndërgjegjësimi i atij grupi njerëzish që ka në dorë fatet e mjedisit, pra i politikanëve tanë. Nuk është e lehtë për t’u arritur. Kërkon një angazhim të gjerë qytetar në bashkpunim me të gjithë faktorët ambientalist për ta çuar këtë kauzë përpara. Ka ardhur koha të hapim një faqe të re politike, miqësore dhe bashkëpunuese me mjedisin. Është detyrimi ynë t’u trashëgojmë brezave që do vijnë ato thesare të natyrës që ne trashëguam nga të parët tanë.