Rezultat historik i Partisë së Gjelbër në Zgjedhjet Lokale të 30 Qershorit

Të Reja

Zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019, u mbajtën në një situatë të pazakontë elektorale. Partia e Gjelbër pavarësisht situatës aspak normale të krijuar, vendosi të marrë pjesë duke u regjistruar në Komisionin Qëndror Zgjedhor dhe duke përgatitur listat e kandidatëve për këshillat bashkiak.

Sfida që kishim përpara nuk ishte aspak e lehtë. Bazuar në aspiratat e një Shqipërie Europiane, Të Gjelbrit sfiduan vështirësitë e procesit elektoral të 30 Qershorit 2019, jo vetëm duke marrë pjesë në to, por dhe duke arritur një rezultat historik në këto zgjedhje. Edhe pse kandiduan në 31 nga 61 bashki të vendit, për shkak të pengesave dhe vështirësive që hasën gjatë procesit të hartimit të listave dhe regjistrimit të tyre në KZAZ, sërish rezultati i arritur ishte një histori suksesi.

Megjithëse pjesëmarrja në zgjedhje, si pasojë e klimës së rënduar zgjedhore, ishte në një përqindje të ulët (22%), Të Gjelbërit arritën të fitojnë 36 mandate në këshillat bashkiak. Për herë të parë në këshillat bashkiak do të ulen 10 kandidate femra të gjelbra. Gjithashtu sukses është treguesi tjetër i këtyre zgjedhjeve, Të rinjtë e Gjelbër. Ata përfaqësohen në këshillat bashkiak me 15 këshilltarë nga 36 këshilltarë gjithsej. Në pesë bashki Partia e Gjelbër renditet partia e dytë dhe në gjashtë bashki të tjera renditet partia e tretë. Në nivel kombëtar, për nga numri i votave të fituara, PGJ renditet partia e pestë dhe për nga numri i këshilltarëve renditet partia e katërt.

Këto ishin zgjedhjet e 5 lokale rradhazi ku Të Gjelbrit jo vetëm kanë marrë pjesë por rezultate e tyre kanë një rritje të ndjeshme nga njëra zgjedhje në tjetrën.

Ky sukses pa dyshim i dedikohet të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë së Gjelbër që pavarësisht situatës së vështirë, klimës aspak të favorshme elektorale, tensioneve të krijuara gjatë fushatës, e përballuan me sukses këtë sfidë elektorale madje mundësuan një rezultat tepër të kënaqshëm zgjedhor.

Vala e Gjelbër Europiane tashmë ka prekur edhe Shqipërinë!