Të Rinjtë e Gjelbër në mbrojtje të mjedisit dhe burimeve natyrore

Të Reja

Forumi rinor i Partisë së Gjelbër organizoi me studentë një takim me temë “Kontributi i të rinjve në mbrojtje të mjedisit dhe klimës përmes zhvillimit të politikave të gjelbra”.

Në këtë takim ishin të ftuar të ndanin mendimet e tyre me të rinjtë Dr. Alisa Peçi, pedagoge e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe drejtuesi i Partisë së Gjelbër, z.Edlir Petanaj.

Kryetarja e Forumit, znj. Ambra Durro, i njohu të rinjtë me veprimtarinë dhe aktivitetet e organizatës si dhe disa nga aksionet konkrete të të Rinjve të Gjelbër në mbrojtje të mjedisit dhe burimeve natyrore. Ajo i ftoi studentët t’i bashkohen kauzës së gjelbër pasi shkatërrimi i mjedisit dhe burimeve natyrore është shkatërrimi i të ardhmes. Kjo është arsyeja që brezi i ri duhet ta shikojë mbrojtjen e mjedisit dhe klimës si betejën e vetë ekzistencës së tij. Kjo është koha për të vepruar.

Ambientalistja dhe aktivistja e shoqërisë civile, zj. Peçi, i njohu të rinjtë me aktivitetet e shoqërisë civile në mbrojtje të kauzave mjedisore dhe aktivitetet ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e mbrojtjes së burimeve natyrore dhe implementimin e politikave të gjelbra. Edhe pse në lëvizjen mjedisore të shoqërisë civile aktivitetet kanë qenë të shumta, ato akoma edhe sot nuk kanë arritur të ndërgjegjësojnë politikën që në veprimet e saj të jetë miqësore me mjedisin dhe të mbrojë burimet tona natyrore. Ky është momenti që lëvizjet shoqërore pro mjedisit t’i bashkohen Partisë së Gjelbër.

Mjedisi mbrohet me votë! Ky është mesazhi që Partia e Gjelbër përcjell tek qytetari. Nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar nga ndotja dhe shkatërrimi i mjedisit përveç ndërgjegjësimit dhe votës pro një politike miqësore me mjedisin, – theksoi në fjalën e tij Kryetari i Partisë së Gjelbër, z.Edlir Petanaj.

Sot na mungon një politikë miqësore me mjedisin prandaj misioni i Partisë së Gjelbër është sensibilizimi i qytetarëve dhe rritja e vetëdijes së tyre për krizën ekologjike dhe zgjidhjen e saj me mjete politike si dhe implementimin e politikave për zhvillimin e qendrueshëm të mjedisit, ekonomisë dhe shoqërisë.

Shkatërrimi i burimeve natyrore dhe mjedisit sjell pasoja të pariparueshme në jetën e qytetarëve, pasi mirëqënia ekonomike dhe sociale, lidhen drejtëpërdrejtë me sjelljen tonë politike ndaj burimeve natyrore dhe mjedisit.

Përvoja Europiane na tregon se sa e rëndësishme është që politika pro mjedisit të jetë pjesë e vendimmarrjes institucionale dhe politike. Të Gjelbërit Europian, pas një beteje të gjatë parlamentare, me politikat e tyre vendimarrëse, të cilat patën një ndikim të jashtëzakonshëm, filluan të ndryshojnë shoqërinë duke ofruar një qasje të re politike, ekonomike dhe sociale. Lëvizja e tyre politike nuk pati ndikime vetëm mbi rritjen e vetëdijes qytetare për çështjet e klimës dhe mjedisit, por shkundi të gjithë aktorët politik që jo vetëm të ndryshonin qasjen e tyre rreth këtyre çështjeve por dhe t’i përfshinin ata në platformat e tyre politike.

Europa perëndimore sot po ecën me hapa të shpejtë drejt një transformimi të gjelbër në të gjitha fushat e jetës. Ky hap padiskutim është një meritë e pazëvendësueshme e të Gjelbërve Europian.

Ky duhet të jetë një moment reflektimi për ne, për ta bërë realisht pjesë të vendimmarrjes parlamentare këtë organizim politik. Pa modesti, do ta quaja një histori suksesi përfaqësimin e Partisë së Gjelbër në nivel lokal. PGJ ka njohur vetëm rritje progresive që nga zgjedhjet e para të vitit 2003 dhe deri në të fundit, ato të vitit 2019. Por kjo situatë edhe pse pozitive nuk ka mjaftuar për të patur ndikim të ndjeshëm në politikat vendimmarrëse lokale pro mjedisit.

Është koha që këtë lëvizje ta bëjmë pjesë të vendimmarrjes së Parlamentit për të rritur ndikimin e saj politik. Kjo është në dorën tuaj si të rinj. Ju do ta ndryshoni Shqipërinë. Koha po ju thërret. Të veprojmë sot për të mbrojtur të nesërmen!

Ka ardhur koha që sjellja jonë ndaj mjedisit të ndryshojë! Ju takon ju të rinjve ta merrni këtë inisiativë. Të jeni në ballë të lëvizjeve mjedisore për klimën, të protestave në mbrojtje të mjedisit dhe burimeve natyrore. Mbrojtja e mjedisit është mbrojtja e të ardhmes tuaj.