Vendi juaj ka nevojë për ju!

Të Reja

Vendi juaj ka nevojë për ju! Ky është apeli që vjen në 50 vjetorin e ditës së tokës nga Të Rinjtë e Gjelbër.

Dita ndërkombëtare të Tokës konsiderohet ndryshe si dita e apelit ndaj problemeve mjedisore dhe zgjidhjeve të tyre.

Në këtë ditë të rëndësishme, Të Rinjtë e Gjelbër përmes zgjidhjeve digitale, diskutuan online mbi tema aktuale mjedisore që shqetësojnë qytetarët dhe vendin tonë.

Vendi ynë është i bukur dhe i pasur me burime natyrore, me florë dhe faun të jashtëzakonshme, por seriozisht i rrezikuar nga shëmtimi dhe varfërimi për shkak të dorës së njeriut, e cila tradicionalisht ka qenë e pakujdesshme me të, i ka shkaktuar pasurive tona të përbashkëta, tokës, ajrit, ujit, pyjeve, sipërfaqeve të gjelbra dhe burimeve natyrore, plagë rrënqethëse.

Përgjegjësia për këtë shkatërrim, bie direkt mbi papërgjegjshmërinë politike dhe kolektive që na ka drejtuar gjatë këtyre viteve. Për shkak të dinamikës intensive dhe kaotike të zhvillimit urban, varfërisë, kulturës individualiste, mungesës së stimujve ekonomikë për ruajtjen, zhvillimin dhe përdorimin e burimeve natyrore, gjendja e mjedisit paraqitet me tregues të përkeqësuar.

Asnjë qeveri deri më sot nuk e ka parë problematikën mjedisore si prioritet në hartimin e politikave ekonomike të zhvillimit të vendit. Historia që Shqipëria është një vend i bukur do të shuhet shumë shpejt, në rast se nuk marrim përsipër të ruajmë atë që ka mbetur dhe të rehabilitojmë maksimalisht atë që është dëmtuar.

Le të shërbejë kjo ditë për të përcjellë një mesazh sensibiliteti dhe ndërgjegjësimi si një thirrje për të vepruar së bashku në mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore dhe të mbështesim një politikë miqësore me mjedisin!

Toka ka nevojë për ju! Mjedisi ka nevojë për ju! Vendi juaj ka nevojë për ju!

#Bashkohunëmbrojtjetëmjedisitdheburimeve natyrore!