Axhenda 2030/ 17 objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Të Reja

Të Rinjtë e Gjelbër diskutuan për 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm është i gjerë dhe kompleks, ai prek të gjitha sferat e shoqërisë duke harmonizuar nevojat e zhvillimit ekonomik dhe atij social, duke mbajtur gjithmonë parasysh kërkesat për mbrojtjen e mjedisit. Në këtë aspekt, ky aktivitet kontribon në njohjen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, për t’i përkthyer ato në elementë praktikë pune nga antarët e  organizatës dhe të ftuar si pjesë e  shoqërisë civile ambientaliste. Të Rinjtë e Gjelbër gjatë diskutimeve në këtë takim  u ndalën tek Objektivi nr 11, që flet për kthimin e qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirëse, të parrezikshme, rezistuese dhe të qëndrueshme.

Axhenda e vitit 2030 synon një botë pa varfëri dhe uri, me arsim cilësor, mbulim shëndetësor universal, arritje të barazisë gjinore dhe fuqizim të grave dhe vajzave, dhe me një mjedis të qëndrueshëm. Të Rinjtë e Gjelbër kërkuan një angazhim më të madh nga qeveria shqiptare për vijimin e planeve dhe projekteve  për t’i bërë realitet Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, pasi realizimi i tyre garanton një jetë më të mire për qytetarët dhe një të ardhme më të sigurt për të rinjtë.

Axhenda 2030/ 17 objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm

Objektivi 1: Eliminimi i varfërisë në të gjitha format kudo.

Objektivi 2: Eliminimi i urisë, arritja e sigurisë ushqimore dhe përmirësimit të ushqyerjes dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme.

Objektivi 3: Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit e çdo moshe.

Objektivi 4: Sigurimi i arsimit cilësor gjithëpërfshirës dhe të drejtë dhe nxitja e mundësive për mësim gjatë gjithë jetës për të gjithë.

Objektivi 5: Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave.

Objektivi 6: Sigurimi i disponueshmërisë dhe menaxhimit të qëndrueshëm të ujësjellës-kanalizimeve për të gjithë.

Objektivi 7: Sigurimi i lidhjes me energji të përballueshme, të sigurt, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë.

Objektivi 8: Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë.

Objektivi 9: Ndërtimi i infrastrukturave rezistuese, nxitja e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitja e novacionit.

Objektivi 10: Zvogëlimi i pabarazisë brendapërbrenda vendeve dhe mes tyre.

Objektivi 11: Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm.

Objektivi 12: Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit.

Objektivi 13: Marrja e masave për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij.

Objektivi 14: Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i oqeaneve, deteve dhe burimeve detare për zhvillimin e qëndrueshëm.

Objektivi 15: Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit.

Objektivi 16: Nxitja e shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i mundësisë për drejtësi për të gjithë dhe ngritja e institucioneve të efektshme, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet.

Objektivi 17: Fuqizimi i mjeteve të vënies në zbatim dhe rigjallërimi i partneritetit botëror për zhvillim të qëndrueshëm.