Këshilltarët e Partisë së Gjelbër kërkuan mbështetjen e kolegëve të tyre anglezë për krijimin e “Akademisë së Këshilltarëve të Gjelbër” e cila do të shërbejë jo vetëm si një shkollë për këshilltarët aktual apo kandidatët e rinj për këshillat bashkiakë, por do të jetë gjithashtu qendra e hartimit të politikave të gjelbra dhe strategjive për implementimin e tyre, sot në këshillat bashkiakë dhe nesër në Parlamentin kombëtar.
Shqetësimi dhe interesimi qytetar, mbi problematikat mjedisore në këshillat bashkiak, përfaqësohet me dinjitet nga këshilltarët e Partisë së Gjelbër. Zëri i tyre si parlamentarë lokalë të Gjelbër, për miratimin e ligjeve që mbrojnë mjedisin, burimet natyrore dhe jetën e komunitetit, kumbon me forcë përballë heshtjes hermetike të këshilltarëve të tjerë që kundërshtojnë me forcën e kartonit.
Në të tre takimet online, të zhvilluara me Kryesinë e Partisë së Gjelbër, grupimin e Të Rinjve të Gjelbër dhe rrjetin e Këshilltarëve të Gjelbër, u diskutuan gjerësisht rrugët dhe mundësitë për të fuqizuar lëvizjen e gjelbër në Shqipëri. Është momenti për të krijuar një platëformë të hapur bashkëpunimi me të gjithë ambientalistët, ekologjistët, shoqërinë civile dhe qytetarët e angazhuar në problemet mjedisore. Vetëm kështu mundet që Partia e Gjelbër të jetë një zë i fortë i politikës ekologjike dhe mund të realizojë programin e saj për një zhvillim të gjelbër të Shqipërisë.
Projekti i fuqizimit të lëvizjes së gjelbër në Shqipëri, i mbështetur edhe nga Partitë e Gjelbra Europiane, do të fitojë besimin e qytetarëve në mënyrë që të gjithë së bashku të ndalin këtë katastrofë mjedisore dhe ta orientojnë vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm e miqësor me mjedisin.
Bashkëpunimi me Partinë e Gjelbër Angleze, në kuadër të shtrirjes së valës së gjelbër edhe në Shqipëri, është një zhvillim i rëndësishëm në rrugën e gjatë të bashkëpunimit me Partitë e Gjelbra e Europiane.