Rrjeti i Grave të Gjelbra

Të Reja

Rrjeti i Grave të Partisë së Gjelbër të Anglisë dhe Uellsit zhvilloi një takim nëpërmjet platformës ZOOM, me Gratë e Gjelbra Shqiptare. Ky takim u zhvillua në kuadër të programit të bashkëpunimit midis dy partive të gjelbra. Synimi kryesor i këtij takimi ishte krijimi i rrjetit të Grave të Gjelbra në Shqipëri dhe hartimi i një platforme të përbashkët ndërveprimi mes dy partive politike.

Pjesë e këtij takimi ishin dhe këshilltaret e gjelbra të dy Partive të cilat sollën sfidat e tyre dhe punën që bëjnë për të rritur më shumë rolin e gruas dhe influencën e saj në këshill, bashki dhe në komunitet. Gratë e Gjelbra Shqiptare kanë 11 përfaqësuese në këshillat bashkiak.

Natalie McVey, drejtuesja e rrjetit të grave të gjelbra të Anglisë dhe Uellsit, solli përvojën personale si kandidatja e parë e Partisë së saj në Zgjedhjet e Përgjithshme përballë elektoratit në distriktin ku jeton. Ajo u rizgjodh si Këshilltare e Distriktit në vitin 2019 dhe tashmë është pjesë e një Aleance Demokratike që drejton Këshillin. Unë jam Drejtuesja e Portofolit për Strehimin dhe Shëndetësinë – tha McVey, një portofol i gjerë që mbulon të pastrehët, shëndetin dhe mirëqenien fizike dhe mendore, si edhe Artet. Ajo punon për arritjen e barazisë, mbrojtjen e mjedisit natyror dhe luftën kundër mizorisë ndaj kfshëve.

Marjana Gjini, këshlltarja e Partisë së Gjelbër shqiptare, ndau me të pranishmit eksperincën e saj, vështirësitë, sfidat dhe rolin e grave këshilltare për rritjen e influencës në komunitet. Duke u udhëhequr nga Të Gjelbërit Europian, që  kanë qenë pionierë të përfaqësimit të barabartë të sekseve në zgjedhje, ne si Të Gjelbër Shqiptar kemi aplikuar sistematikisht barazinë dhe i’a kemi dalë të feminizojmë instancat tona vendimarrëse. Këtë e tregon më së miri dhe lidershipi i Partisë së Gjelbër të Shqipërisë si e vetmja parti që drejtohet nga dy bashkëkryetar në respekt të barazisë gjinore. Ne do të vazhdojmë të ruajmë këtë traditë të mirë duke i dhënë prioritet faktit që listat tona elektorale të udhëhiqen nga një grua– tha Gjini.

Dy ishin çështjet kryesore të këtij aktiviteti :

  • Rëndësia e rrjeteve të grave të gjelbra;
  • Përfitimet që kanë gratë nga pjesëmarrja në to;

Drejtueset dhe këshilltaret e Partisë së Gjelbër të Anglisë dhe Uellsit sollën përvojën e tyre dhe punën që bëjnë për përballimin e vështirësive, pasi nuk është e lehtë të tejkalosh mentalitetin maskulin edhe në vende si Anglia – thanë ato. Roli i rrjetit të grave të gjelbra i ka dhënë një hov më të madh arritjes së synimit për ta vënë gruan në qendër të vëmendjes dhe për t’i krijuar asaj të gjitha hapsirat dhe mundësitë për t’u integruar, si brenda organizatës ashtu dhe jashtë saj.

Rrjeti është një arritje e madhe në fuqizimin e grave të gjelbra, rritjes së rolit të tyre dhe ndikimit që ato kanë në çuarjen para të politikave të gjelbra dhe përmirësimin e jetës në komunitet. Krijimi i rrjetit të grave të gjelbra në Shqipëri do të jetë një risi që do të forcojë më shumë rolin e gruas si dhe do të rrisë peshën e saj jo vetëm brenda Partisë së Gjelbër por dhe në komunitet.

Ky takim ishte një hap përpara në ngritjen e Rrjetit të Grave të Gjelbra në Shqipëri i cili do të ketë ndikim në përpjekjet që bëjnë gratë për të zënë vendin që meritojnë në politikë dhe shoqëri.